Albanian 1Dhe Jezusi, plot me Frymën e Shenjtë, u kthye nga Jordani dhe Fryma e çoi në shkretëtirë,
2ku për dyzet ditë e tundoi djalli; gjatë atyre ditëve ai nuk hëngri asgjë, por kur ato kaluan, e mori uria.
3Dhe djalli i tha: ''Nëse je Biri i Perëndisë, i thuaj këtij guri të bëhet bukë''.
4Por Jezusi u përgjigj duke thënë: ''Éshtë shkruar: "Njeriu nuk do të rrojë vetëm me bukë, por me çdo fjalë të Perëndisë"''. 5Pastaj djalli e çoi në një mal të lartë dhe, për një çast, i tregoi të gjitha mbretëritë e botës. 6Dhe djalli i tha: ''Unë do të të jap gjithë pushtetin e këtyre mbretërive dhe lavdinë e tyre, sepse m'u dha mua në dorë dhe unë ia jap kujt të dua. 7Në qoftë se ti, pra, duke rënë përmbys, më adhuron, do të jetë krejt jotja''. 8Por Jezusi, duke u përgjigjur, i tha: ''Largohu prej meje, Satana. Éshtë shkruar: "Adhuro Zotin, Përëndinë tënd dhe shërbeji vetëm atij"''. 9Pastaj e çoi në Jeruzalem, e vuri në majë të tempullit, në cep, dhe i tha: ''Nëse je Biri i Perëndisë, hidhu poshtë që këtej; 10sepse është shkruar: "Ai do t'u urdhërojë engjëjve të vet rreth teje të të ruajnë. 11Dhe ata do të të mbajnë mbi duart e tyre që këmba jote të mos ndeshë me asnjë gur"''. 12Dhe Jezusi u përgjigj dhe i tha: ''Éshtë thënë: "Mos e tundo Zotin, Perëndinë tënd"''. 13Dhe kur djalli i mbaroi të gjitha tundimet, u largua prej tij, për një farë kohe. 14Dhe Jezusi, në fuqinë e Frymës, u kthye në Galile dhe fama e tij u përhap në mbarë krahinën përreth. 15Dhe ai mësonte në sinagogat e tyre, i nderuar nga të gjithë. 16Pastaj erdhi në Nazaret, ku ishte rritur, dhe si e kishte zakon ditën e shtunë, hyri në sinagogë dhe u ngrit për të lexuar. 17I dhanë në dorë librin e profetit Isaia; e hapi dhe gjeti vendin ku ishte shkruar: 18''Fryma e Zotit është mbi mua, sepse ai më vajosi për të ungjillizuar të varfërit; ai më dërgoi për të shëruar ata që e kanë zemrën të thyer, për të shpallur çlirimin e të burgosurve dhe kthimin e të parit të verbërve, për të çliruar përsëri të shtypurit, 19dhe për të predikuar vitin e pranueshëm të Zotit''. 20Pastaj, si e mbylli librin dhe ia dha shërbyesit, u ul; dhe sytë e të gjithëve në sinagogë u drejtuan mbi të. 21Atëherë ai nisi të thotë: ''Sot ky Shkrim u përmbush në veshët tuaja''. 22Dhe të gjithë jepnin dëshmi dhe mrekulloheshin për fjalët e hirit që dilnin nga goja e tij, dhe thoshnin: ''Po ky, a nuk është biri i Jozefit?''. 23Dhe ai u tha atyre: ''Me siguri ju do të më përmendni fjalën e urtë: "Mjek, shëro veten tënde"; të gjitha ato që dëgjuam se u bënë në Kapernaum, bëji edhe këtu në atdheun tënd''. 24Por ai tha: ''Në të vërtetë po ju them se asnjë profet nuk mirëpritet në atdheun e vet. 25Në të vërtetë po ju them se në kohën e Elias, kur qielli u mbyll për tre vjet e gjashtë muaj dhe u bë një uri e madhe në gjithë vendin, ishin shumë të veja në Izrael; 26e megjithatë tek asnjëra nga ato nuk u dërgua Elia, përveç se te një grua e ve në Sareptë të Sidonit. 27Dhe në kohën e profetit Elize kishte shumë lebrozë në Izrael; megjithatë asnjë prej tyre nuk u pastrua, përveç Naamanit Sirian''. 28Kur i dëgjuan këto fjalë, të gjithë ata që ishin në sinagogë u zemëruan shumë. 29Dhe u ngritën, e dëbuan nga qyteti dhe e çuan deri në buzë të majës së malit, mbi të cilin ishte ndërtuar qyteti i tyre, për ta hedhur poshtë. 30Por ai, duke kaluar përmes tyre, u largua. 31Pastaj zbriti në Kapernaum, qytet i Galilesë, dhe i mësonte njerëzit ditët e shtuna. 32Dhe ata habiteshin nga mësimi i tij, sepse fjala e tij ishte me autoritet. 33Në sinagogë ishte një njeri që ishte pushtuar me frymën e një demoni të ndyrë. Ai bërtiti me zë të lartë duke thënë: 34''Ah, ç'ka mes nesh dhe teje, o Jezus Nazareas? A erdhe të na shkatërrosh? Unë e di se kush je ti: i Shenjti i Perëndisë!''. 35Por Jezusi e qortoi duke thënë: ''Hesht dhe dil prej tij!''. Dhe demoni, pasi e përplasi përpara tyre, doli prej tij pa i bërë asgjë të keqe. 36Atëherë të gjithë i pushtoi habia dhe i thoshin njëri-tjetrit: ''Ç'fjalë është kjo, vallë? Ai urdhëron me autoritet dhe pushtet frymërat e ndyra dhe ata dalin!''. 37Dhe fama e tij përhapej në çdo vend të krahinës përreth. 38Mbasi doli nga sinagoga, Jezusi hyri në shtëpinë e Simonit. Vjehrrën e Simonit e kishin zënë ethe të forta; dhe ata e lutën për të. 39Ai u përkul mbi të, qortoi ethet dhe ato e lëshuan; dhe ajo u ngrit menjëherë dhe filloi t'u shërbejë. 40Kur perëndoi dielli, të gjithë ata që kishin të sëmurë me sëmundje të ndryshme i prunë tek ai; dhe ai i shëroi duke vënë duart mbi secilin prej tyre. 41Prej shumë vetëve dilnin demonë që bërtitnin dhe thoshnin: ''Ti je Krishti, Biri i Perëndisë''. Por ai i qortonte dhe nuk i lejonte të flisnin, sepse ata e dinin se ai ishte Krishti. 42Kur zbardhi drita ai doli dhe shkoi në një vend të pabanuar. Por turmat e kërkonin dhe e arritën; dhe e mbanin që të mos largohej prej tyre. 43Por ai u tha atyre: ''Më duhet ta shpall lajmin e mirë të mbretërisë së Perëndisë edhe në qytete të tjera, sepse për këtë jam dërguar''. 44Dhe ai predikonte nëpër sinagoga të Galilesë. |