Numrat 13
Albanian
1Zoti i foli Moisiut, duke i thënë: 2Dërgo njerëz të kqyrin vendin e Kanaanit që unë po u jap bijve të Izraelit. Do të dërgoni një nga çdo fis i etërve të tyre; të gjithë të jenë nga princat e tyre. 3Kështu Moisiu i nisi nga shkretëtira e Paranit, simbas urdhrit të Zotit; të gjithë këta ishin krerë të bijve të Izraelit. 4Këta ishin emrat e tyre: Shamua, bir i Zakurit, për fisin e Rubenit; 5Shafati, bir i Horit, për fisin e Simeonit; 6Kalebi, bir i Jefunehut, për fisin e Judës; 7Igali, bir i Jozefit, për fisin e Isakarit; 8Hoshea, bir i Nunit, për fisin e Efraimit; 9Palti, bir i Rafut, për fisin e Beniaminit; 10Gadieli, bir i Sodit, për fisin e Zabulonit; 11Gadi, bir i Susit, për fisin e Jozefit, domethënë për fisin e Manasit; 12Amieli, bir i Gemalit, për fisin e Danit; 13Seturi, bir i Mikaelit, për fisin e Asherit; 14Nahbi, bir i Vofsit, për fisin e Neftalit; 15Geueli, bir i Makit, për fisin e Gadit. 16Këto janë emrat e personave që Moisiu dërgoi për të vëzhguar vendin. Moisiu i vuri Hosheas, birit të Nunit, emrin e Jozueut.

17Moisiu, pra, i dërgoi për të vëzhguar vendin e Kanaanit dhe u tha atyre: "Ngjituni që këtej në Negev dhe pastaj në krahinën malore, 18për të parë si është vendi, në qoftë se populli që banon aty është i fortë apo i dobët, i pakët në numër apo i shumtë; 19si është vendi ku banon, i mirë apo i keq, si janë qytetet në të cilat jeton, a ka kampe ose vende të fortifikuara; 20dhe si është toka, pjellore apo e varfër, në rast se ka pemë ose jo. Bëhuni trima dhe sillni frytet nga ky vend". Ishte koha kur kishte filluar të piqej rrushi.

21Ata u ngjitën, pra, dhe vëzhguan vendin e Tsinit deri në Rehob, duke hyrë në të nga ana e Hamathit. 22U ngjitën përmes Negevit dhe shkuan deri në Hebron, ku ishin Ahimani, Sheshai dhe Talmai, pasardhës të Anakut. (Hebronin e kishin ndërtuar shtatë vjet para Tsoanit në Egjipt).

23Arritën pastaj deri në luginën e Eshkolit, ku prenë një degë me një vile rrushi, që e mbanin që të dy me një purtekë; dhe morën gjithashtu shegë dhe fiq. 24Ky vend u quajt lugina e Eshkolit, për shkak të viles së rrushit që bijtë e Izraelit prenë aty.

25Mbas dyzet ditësh ata u kthyen nga vëzhgimi i vendit, 26dhe shkuan të takojnë Moisiun, Aaronin dhe tërë asamblenë e bijve të Izraelit në shkretëtirën e Paranit, në Kadesh; para tyre dhe tërë asamblesë paraqitën një raport dhe u treguan pemët e vendit. 27Kështu para tij raportuan duke thënë: "Ne arritëm në vendin ku na dërgove; aty rrjedh me të vërtetë qumësht dhe mjaltë, dhe këto janë pemët e tij. 28Por populli që banon në këtë vend është i fortë, qytetet janë të fortifikuara dhe shumë të mëdha; dhe aty pamë edhe pasardhësit e Anakut. 29Amalekitët banojnë në krahinën e Negevit; Hitejtë, Gebusejtë dhe Amorejtë banojnë përkundrazi në krahinën malore, ndërsa Kananejtë banojnë pranë detit dhe gjatë Jordanit".

30Atëherë Kalebi e qetësoi popullin që murmuriste kundër Moisiut dhe tha: "Le të ngjitemi menjëherë dhe ta pushtojmë vendin, sepse këtë mund ta bëjmë me siguri". 31Por njerëzit që kishin shkuar me të thanë: "Nuk mund të sulemi kundër këtij populli, sepse është më i fortë se ne". 32Kështu i paraqitën një informacion të keq për vendin që kishin vëzhguar duke thënë: "Vendi që kemi përshkuar për ta vëzhguar është një vend që i ha banorët e tij; dhe të gjithë njerëzit që kemi parë në të janë njerëz me shtat të lartë. 33Përveç kësaj aty pamë gjigantë (pasardhësit e Anakut rrjedhin nga gjigantët), përballë të cilëve na dukej se ishim karkaleca, dhe kështu duhet t'u dukeshim atyre".



Albanian, ABS Version 1994

This text is copyright the Albanian Bible Society (ABS)

Bible Hub

Numbers 12
Top of Page
Top of Page