Veprat e Apostujve 16
Albanian
1Dhe ai arriti në Derbë dhe në Listra; këtu ishte një dishepull me emër Timote, biri i një gruaje judease besimtare, por me baba grek, 2për të cilin jepnin dëshmi të mirë vëllezërit e Listrës dhe të Ikonit. 3Pali deshi që të dilte me të; kështu e mori, e rrethpreu për shkak të Judenjve që ishin në ato vende, sepse të gjithë e dinin se babai i tij ishte grek. 4Dhe, duke kaluar nëpër qytete, i urdhëronin ata të zbatojnë vendimet që ishin marrë nga apostujt dhe nga pleqtë në Jeruzalem. 5Kishat, pra, po forcoheshin në besim dhe rriteshin në numër përditë.

6Kur ata po kalonin nëpër Frigji dhe në krahinën e Galatisë, u penguan nga Fryma e Shenjtë që të shpallin fjalën në Azi. 7Si arritën në kufijtë e Misisë, ata kërkuan të shkojnë në Bitini, por Fryma nuk i lejoi. 8Kështu, pasi e përshkuan Misinë, zbritën në Troas. 9Gjatë natës Palit iu shfaq një vegim. I rrinte para një burrë Maqedonas, që i lutej dhe i thoshte: ''Kalo në Maqedoni dhe na ndihmo''. 10Mbasi e pa vegimin, kërkuam menjëherë të shkojmë në Maqedoni, të bindur se Zoti na kishte thirrur që t'ua shpallim atyre ungjillin.

11Prandaj, duke lundruar nga Troasi, u drejtuam për në Samotrakë, dhe të nesërmen në Neapolis, 12dhe prej andej në Filipi, që është qyteti i parë i asaj ane të Maqedonisë dhe koloni romake; dhe qëndruam disa ditë në atë qytet. 13Ditën e së shtunës dolëm jashtë qytetit anës lumit, ku ishte vendi i zakonshëm për lutje; dhe, si u ulëm, u flisnim grave që ishin mbledhur atje.

14Dhe një grua, me emër Lidia, që ishte tregtare të purpurtash, nga qyteti i Tiatirës dhe që e adhuronte Perëndinë, po dëgjonte. Dhe Zoti ia hapi zemrën për të dëgjuar gjërat që thoshte Pali. 15Pasi ajo u pagëzua me familjen e saj, na u lut duke thënë: ''Në qoftë se më keni gjykuar se jam besnike ndaj Zotit, hyni në shtëpinë time dhe rrini''. Dhe na detyroi të pranojmë.

16Dhe, kur po shkonim për lutje, na doli para një skllave e re që kishte një frymë falli, e cila, duke u treguar fatin njerëzve, u sillte shumë fitime zotërinjve të saj. 17Ajo u vu të ndjekë Palin dhe ne, dhe bërtiste duke thënë: ''Këta njerëz janë shërbëtorë të Perëndisë Shumë të Lartë dhe ju shpallën udhën e shpëtimit''. 18Dhe ajo e bëri këtë shumë ditë me radhë, por Pali, i mërzitur, u kthye dhe i tha frymës: ''Unë të urdhëroj në emër të Jezu Krishtit të dalësh prej saj''. Dhe fryma doli që në atë çast.

19Por zotërinjtë e saj, kur panë se u humbi shpresa e fitimit të tyre, i kapën Palin dhe Silën dhe i tërhoqën te sheshi i tregut përpara arkondëve; 20dhe si ua paraqitën pretorët, thanë: ''Këta njerëz, që janë Judenj, e turbullojnë qytetin tonë, 21dhe predikojnë zakone që për ne, që jemi Romakë, nuk është e ligjshme t'i pranojmë dhe t'i zbatojmë''.

22Atëherë turma u lëshua e gjitha bashkë kundër tyre: dhe pretorëve, ua grisën atyre rrobat dhe urdhëruan t'i rrahin me kamxhik. 23Dhe si i rrahën me shumë goditje, i futën në burg duke urdhëruar rojtarin e burgut t'i ruajë me kujdes. 24Ky, si mori një urdhër të tillë, i futi në pjesën më të brendshme të burgut dhe ua shtrëngoi këmbët në dru.

25Aty nga mesnata Pali dhe Sila po luteshin dhe i këndonin himne Perëndisë; dhe të burgosurit i dëgjonin. 26Befas u bë një tërmet i madh, saqë u tundën themelet e burgut; dhe në atë çast u hapën të gjitha dyert dhe të gjithëve iu zgjidhën prangat. 27Rojtari i burgut, kur u zgjua dhe pa dyert e burgut të hapura, nxori shpatën dhe donte të vriste veten, duke menduar se të burgosurit kishin ikur. 28Por Pali thirri me zë të lartë: ''Mos i bëj ndonjë të keqe vetes, sepse ne të gjithë jemi këtu''. 29Atëherë ai kërkoi një dritë, u turr brenda dhe duke u dridhur i tëri u ra ndër këmbë Palit dhe Silës; 30pastaj i nxori jashtë dhe tha: ''Zotërinj, ç'duhet të bëj unë që të shpëtohem?''.

31Dhe ata i thanë: ''Beso në Zotin Jezu Krisht dhe do të shpëtohesh ti dhe shtëpia jote''. 32Pastaj ata i shpallën fjalën e Zotit atij dhe gjithë atyre që ishin në shtëpinë e tij. 33Dhe ai i mori që në atë orë të natës dhe ua lau plagët. Dhe ai dhe të gjithë të tijtë u pagëzuan menjëherë. 34Mbasi i çoi në shtëpinë e vet, ua shtroi tryezën dhe u gëzua me gjithë familjen e tij që kishte besuar në Perëndinë.

35Kur u gdhi, pretorët dërguan liktorët t'i thonë rojtarit të burgut: ''Lëri të lirë ata njerëz''. 36Dhe rojtari i burgut i tregoi Palit këto fjalë: ''Pretorët kanë dërguar fjalë që të liroheni; dilni, pra, dhe shkoni në paqe''. 37Por Pali u tha atyre: ''Mbasi na kanë rrahur botërisht pa qenë të dënuar në gjyq, ne që jemi qytetarë romakë, na futën në burg dhe tani na nxjerrin fshehtas? Jo, kurrsesi! Le të vijnë vetë ata të na nxjerrin jashtë''. 38Liktorët ua tregon këto fjalë pretorëve; dhe ata, kur dëgjuan se ishin qytetarë romakë, u frikësuan. 39Atëherë erdhën dhe iu lutën atyre, dhe si i nxorën, iu lutën që të largohen nga qyteti. 40Atëherë ata, si dolën nga burgu, hynë në shtëpinë e Lidias dhe, kur panë vëllezërit, i ngushëlluan; dhe ikën.



Albanian, ABS Version 1994

This text is copyright the Albanian Bible Society (ABS)

Bible Hub

Acts 15
Top of Page
Top of Page