Isaia 36
Albanian
1Në vitin e katërmbëdhjetë të mbretit Ezekia ndodhi që Senakeribi, mbret i Asirisë, doli kundër qyteteve të fortifikuara të Judës dhe i pushtoi. 2Mbreti i Asirisë dërgoi Rabshakehun nga Lakishi në Jeruzalem, te mbreti Ezekia, me një ushtri të madhe; ai u ndal pranë ujësjellësit të hauzit të sipërm, në rrugën e arës së larësit. 3Atëherë Eliakimi, bir i Hilkiahut, prefekt i pallatit, Shebna, sekretari, dhe Joahu, bir i Asafit, arkivisti, shkuan tek ai.

4Rabshakehu u tha atyre: "I thoni Ezekias: Kështu thotë mbreti i madh, mbreti i Asirisë: ku mbështetet besimi që ke? 5Unë them se këshillë dhe forcë për të bërë luftën nuk janë vetëm fjalë goje; tani që je rebeluar kundër meje te kush ke besim ti? 6Ja, ti ke besim në përkrahjen e këtij kallami të thyer, që është Egjipti, që pret dorën e atij që mbështetet mbi të dhe e shpon. I tillë është pikërisht Faraoni, mbreti i Egjiptit, për tërë ata që kanë besim tek ai. 7Në rast se pastaj më thuaj: "Ne kemi besim tek Zoti, Perëndia ynë", a nuk është vallë po ai që Ezekia ka hequr nga vendet e larta dhe nga altarët, duke u thënë Judës dhe Jeruzalemit: "Ju do të adhuroni vetëm para këtij altari"? 8Tani, pra, vër një bast me zotin tim, mbretin e Asirisë; unë do të të jap dy mijë kuaj, në qoftë se ti je në gjendje të sigurosh kalorësit që i hipin. 9Si do të mundje të sprapsësh një kapiten të vetëm midis shërbëtorëve më të vegjël të zotit tim? Por ti ke besim se Egjipti do të të japë qerre dhe kalorës. 10Dhe tani a kam ardhur vallë kundër këtij vendi pa vullnetin e Zotit për ta shkatërruar? Zoti më ka thënë: "Dil kundër këtij vendi dhe shkatërroje"".

11Atëherë Eliakimi, Shebna dhe Joahu i thanë Rabshakehut: "Foli, pra, shërbëtorëve të tu në gjuhën aramaike, sepse ne e kuptojmë, por mos na fol në gjuhën hebraike, në mënyrë që ta dëgjojë populli që është mbi muret". 12Por Rabshakehu u përgjigj: "Zoti im, vallë, më ka dërguar t'i them këto fjalë zotit tënd dhe ty, dhe jo pikërisht njerëzve që ndodhen mbi muret, të katandisur të hanë jashtëqitjet e tyre dhe të pinë urinën e tyre bashkë me ju?".

13Atëherë Rabshakehu u ngrit më këmbë dhe bërtiti me zë të lartë në gjuhën hebraike, duke thënë: "Dëgjoni fjalët e mbretit të madh, të mbretit të Asirisë! 14Kështu thotë mbreti: "Të mos ju mashtrojë Ezekia, sepse ai nuk mund t'ju çlirojë nga duart e mia; 15as tij bëjë Ezekia që të vendosni besimin tuaj te Zoti, duke thënë: "Me siguri Zoti do të na çlirojë; ky qytet nuk do të jepet në duart e mbretit të Asirisë". 16Mos dëgjoni Ezekian, sepse kështu thotë mbreti i Asirisë: bëni paqe me mua dhe dorëzohuni, dhe secili prej jush do të mund të hajë frytet e vreshtit të tij dhe të fikut të tij, dhe secili do të mund të pijë ujin e sternës së tij, 17deri sa të vijë unë për t'ju çuar në një vend të ngjashëm me tuajin, në një vend gruri dhe mushti, në një vend buke dhe vreshtash. 18Të mos ju mashtroj Ezekia duke thënë: "Zoti do të na çlirojë". A ka mundur ndonjë prej perëndive të kombeve të çlirojë vendin e tij nga duart e mbretit të Asirisë? 19Ku janë perënditë e Hamathit dhe të Arpadit? Ku janë perënditë e Sefarvaimit? A e kanë çliruar vallë Samarinë nga duart e mia? 20Kush prej tërë perëndive të këtyre vendeve ka çliruar vendin e vet nga duart e mia, që Zoti të mund të çlirojë Jeruzalemin nga duart e mia?".

21Por ata heshtën dhe nuk u përgjigjën me asnjë fjalë, sepse urdhëri i mbretit ishte: "Mos iu përgjigjni". 22Atëherë Eliakimi, bir i Hilkiahut, prefekt i pallatit, Shebna sekretari, dhe Joahu, bir i Asafit, arkivisti, erdhën tek Ezekia me rroba të grisura dhe i njoftuan fjalët e Rabshakehut.



Albanian, ABS Version 1994

This text is copyright the Albanian Bible Society (ABS)

Bible Hub

Isaiah 35
Top of Page
Top of Page