Jozueu 2
Albanian
1Jozueu, bir i Nunit, dërgoi dy burra te Shitimi për të vëzhguar fshehurazi, duke u thënë: "Shkoni, kontrolloni vendin dhe Jerikon". Kështu ata shkuan dhe hynë në shtëpinë e një prostitute, të quajtur Rahab, dhe aty banuan. 2Këtë gjë ia referuan mbretit të Jerikos, duke i thënë: "Ja, disa bij të Izraelit erdhën këtu sonte natën për të vëzhguar vendin". 3Atëherë mbreti i Jerikos dërgoi t'i thotë Rahabit: "Nxirri jashtë njerëzit që kanë ardhur te ti dhe kanë hyrë në shtëpinë tënde, sepse ata kanë ardhur për të vëzhguar tërë vendin". 4Por gruaja i mori dy burrat dhe i fshehu; pastaj tha: "Éshtë e vërtetë, këta njerëz erdhën tek unë, por nuk dija nga ishin. 5Në çastin kur mbyllej porta e qytetit, kur ishte errësuar, ata burra dolën; nuk e di se ku shkuan; ndiqini menjëherë, sepse mund t'i arrini". 6(Ajo përkundrazi i kishte hipur mbi çati dhe i kishte fshehur midis kërcejve të lirit, që i kishte shtrirë mbi shtrat). 7Atëherë ata i ndoqën në rrugën e Jordanit, në drejtim të vahut të lumit; dhe sapo dolën ndjekësit, porta u mbyll.

8Por para se t'i zinte gjumi spiunët, Rahabi u ngjit pranë tyre në çati, 9dhe u tha atyre burrave: "Unë e di që Zoti ju ka dhënë vendin, që tmerri juaj na ka zënë, dhe që të gjithë banorët e vendit dridhen nga frika para jush. 10Sepse ne kemi dëgjuar si i thau ujërat e Detit të Kuq Zoti përpara jush kur dolët nga Egjipti, dhe atë që ju u bëtë dy mbretërve të Amorejve, matanë Jordanit, Sihonit dhe Ogut, që vendosët t'i shfarosni. 11Duke dëgjuar këto gjëra zemra jonë u mpak, për shkakun tuaj askujt nuk i mbeti asnjë fije trimërie, sepse Zoti, Perëndia juaj, është Perëndi atje lart në qiejt dhe këtu poshtë në tokë. 12Prandaj, ju lutem, betohuni në emër të Zotit që, ashtu si kam treguar dhembshuri ndaj jush, edhe ju do të tregoni po atë dhembshuri ndaj shtëpisë së atit tim; më jepni, pra, një shenjë të sigurt, 13që do t'i lini të gjallë atin tim, nënën time, vëllezërit dhe motrat e mia dhe të gjitha gjërat që u përkasin atyre, dhe që do të shpëtoni jetën tonë nga vdekja". 14Ata burra iu përgjigjën: "Jeta jonë për atë tuajën, mjaft që të mos e tregoni çështjen tonë; dhe kur Zoti do të na japë vendin, ne do të të trajtojmë me mëshirë dhe me shpirtlirësi".

15Atëherë ajo i zbriti nga dritarja me një litar, sepse shtëpia e saj ndodhej mbi muret e qytetit, dhe ajo banonte mbi muret. 16Dhe u tha atyre: "Shkoni në drejtim të malit, që ndjekësit tuaj të mos ju gjejnë; dhe qëndroni tri ditë të fshehur atje, deri sa të kthehen ndjekësit tuaj; pastaj do të vazhdoni rrugën tuaj". 17Atëherë ata burra i thanë: "Ne do të çlirohemi nga betimi që na detyrove të bëjmë, 18po të jetë se, kur të hyjmë në këtë vend, ti nuk ngjit në dritaren nga e cila po na zbret këtë kordon të hollë me ngjyrë të kuqerreme dhe po nuk mblodhe në shtëpinë tënde atin tënd, nënën tënde vëllezërit e tu dhe tërë familjen e atit tënd. 19Por në rast se dikush del jashtë pragut të shtëpisë sate, gjaku i tij do të bjerë mbi krye të vet, dhe ne nuk do të kemi faj për këtë; por gjaku i kujtdo qoftë që do të jetë me ty në shtëpi do të bjerë mbi kokën tonë, në qoftë se dikush i prek me dorë. 20Por në rast se ti tregon punën tonë, ne do të çlirohemi nga betimi që na ke detyruar të bëjmë". 21Ajo tha: "U bëftë ashtu si thatë ju". Pastaj u nda me ta dhe ata ikën. Ajo lidhi në dritare kordonin e hollë të kuqerremë.

22Ata ikën, pra, dhe shkuan në mal ku ndenjën tri ditë, deri sa u kthyen ndjekësit; ndjekësit i kishin kërkuar gjatë gjithë rrugës, por pa i gjetur dot. 23Kështu të dy burrat u kthyen, zbritën nga mali, kaluan Jordanin dhe erdhën te Jozueu, bir i Nunit, dhe i treguan të gjitha ato që kishin kaluar. 24Dhe i thanë Jozueut: "Me siguri Zoti na e ka lënë në duart tona tërë vendin; që tani tërë banorët e vendit dridhen nga frika para nesh".



Albanian, ABS Version 1994

This text is copyright the Albanian Bible Society (ABS)

Bible Hub

Joshua 1
Top of Page
Top of Page