Ezekieli 32
Albanian
1Në vitin e dymbëdhjetë, në muajin e dymbëdhjetë, ditën e parë të muajit, ndodhi që fjala e Zotit m'u drejtua, duke thënë:

2Bir njeriu, nis një vajtim për Faraonin, mbretin e Egjiptit, dhe i thuaj: Ti i ngjason një luani të vogël midis kombeve; ishe si një dragua në dete dhe hidheshe në lumenjtë e tu, duke i trazuar ujrat me këmbët e tua dhe duke i turbulluar lumenjtë.

3Kështu thotë Zoti, Zoti: "Do të shtrij mbi ty rrjetën time me një kuvend të shumë popujve që do të ngrenë lart me rrjetën time.

4Pastaj do të braktis mbi tokë dhe do të të hedh në fushë të hapur, do të bëj që të ulen mbi ty të gjitha shpendët e qiellit dhe do t'i ngop me ty kafshët e gjithë dheut.

5Do ta hedh mishin tënd mbi male dhe do t'i mbush luginat me togun e skeletit tënd.

6Do t'i jap gjithashtu tokës të pijë nga rrjedha e gjakut tënd, deri te malet, dhe shtretërit e lumenjve do të mbushen me ty.

7Kur të të shuaj, do t'i mbuloj qiejt dhe do t'i errësoj yjet, do ta zë diellin me një re dhe hëna nuk do të japë më dritën e saj.

8Mbi ty do të errësoj të gjithë ndriçuesit e shkëlqyer në qiell dhe do të dërgoj terrin në vendin tënd", thotë Zoti, Zoti.

9Do të pikëlloj zemrën e shumë popujve, kur të bëj që të vijë shkatërrimi yt midis kombeve, në vende që ti nuk i njeh. 10Do të bëj që shumë popuj të çuditen me ty dhe mbretërit e tyre do t'i pushtojë një tmerr i madh për shkakun tënd, kur të vringëllij shpatën time para tyre; secili prej tyre do të dridhet në çdo çast për jetën e tij, ditën e rënies sate".

11Sepse kështu thotë Zoti, Zoti: "Shpata e mbretit të Babilonisë do të bjerë mbi ty.

12Do të bëj që turma jote të rrëzohet nga shpata e burrave të fuqishëm, që janë më të tmerrshmit ndër kombet; ata do të shkatërrojnë krenarinë e Egjiptit dhe gjithë turmat e tij do të asgjësohen.

13Do të bëj që të ngordhë krejt gjëja e gjallë e tij mbi brigjet e ujrave të mëdha, që nuk do të turbullohen më nga këmba e njeriut, as thundra e kafshëve nuk do t'i turbullojë.

14Atëherë do t'i lë të qetësohen ujrat e tyre dhe do të bëj që lumenjtë e tyre të rrjedhin si vaj", thotë Zoti, Zoti.

15Kur do ta kem bërë të shkretë vendin e Egjiptit dhe vendi të jetë zhveshur nga çdo gjë që kishte, kur do të kem goditur gjithë banorët e tij, atëherë do të pranojnë se unë jam Zoti.

16Ky është një vajtim që do të ngrenë për të, do ta ngrenë për bijat e kombeve; do ta ngrenë për Egjiptin dhe gjithë turmat e tij", thotë Zoti, Zoti.

17Vitin e dymbëdhjetë, ditën e pesëmbëdhjetë të muajit, ndodhi që fjala e Zotit mu drejtua, duke thënë: 18Bir njeriu, merrja një vajtimi për turmën e Egjiptit dhe zbrite në thellësinë e tokës, atë dhe bijat e kombeve të famshëm, që bashkë me ata zbresin në gropë.

19Vallë kujt ia kalon nga bukuria? Zbrit dhe zër vend midis atyre që nuk janë rrethprerë.

20Ata do të bien në mes të atyre që janë vrarë nga shpata. Ai i është dorëzuar shpatës; e tërheqin me gjithë turmat e tij. 21Trimat më të fortë, bashkë me ata që e ndihmonin, do t'i flasin në mes të Sheolit: "Kanë zbritur dhe kanë zënë vend bashkë me ata që nuk janë rrethprerë, bashkë me ata që i ka shpuar shpata?".

22Atje është Asiria me gjithë turmën e saj, me varret e saj përreth; janë të gjithë të vrarë, të rënë nga shpata. 23Varret e tyre janë vendosur në thellësinë e gropës dhe turma e saj është rreth varrit të tij; të gjithë janë të vrarë nga shpata, ata që përhapin tmerrin mbi dheun e të gjallëve.

24Atje është Elami me gjithë turmën e tij rreth varrit të tij; janë të gjithë të vrarë, të rrëzuar nga shpata, që kanë zbritur pa u rrethprerë në thellësi të tokës, ata që përhapnin tmerr mbi dheun e të gjallëve; tani ata mbajnë turpin e tyre me ata që zbresin në gropë. 25Kanë vënë shtratin e tij në mes të të vrarëve me gjithë turmën e tij, me varret e tyre rreth tij; të gjithë nuk janë rrethprerë, janë shpuar nga shpata, sepse kishin përhapur tmerrin mbi dheun e të gjallëve; por tani e mbajnë turpin e tyre me ata që zbresin në gropë; janë vendosur në mes të të vrarëve.

26Atje është Mesheku, Tubali, dhe tërë turma e tyre, me varret e tyre rreth tij; të gjithë nuk janë rrethprerë, janë shpuar nga shpata, sepse përhapin tmerrin mbi dheun e të gjallëve. 27Nuk rrijnë me heronjtë e rënë të atyre që nuk janë rrethprerë, që kanë zbritur në Sheol me armët e tyre të luftës dhe që shpatat e tyre janë vënë nën kokat e tyre; por ndëshkimi i paudhësive të tyre do t'u ngjitet kockave të tyre, megjithëse tmerri i këtyre trimave ishte i madh mbi dheun e të gjallëve. 28Po, ti do të copëtohesh në mes të atyre që nuk janë rrethprerë dhe do të qëndrosh bashkë me ata që janë shpuar nga shpata.

29Atje është Edomi, me të gjithë mbretërit e tij dhe me të tërë princat e tij, të cilët, megjithë trimërinë e tyre, janë vendosur bashkë me ata që janë shpuar nga shpata. Edhe këta rrinë bashkë me ata që nuk janë rrethprerë dhe me ata që zbresin në gropë.

30Atje janë tërë princat e veriut dhe tërë Sidonasit që kanë zbritur bashkë me ata që janë shpuar të hutuar për shkak të tmerrit që u kallnin me fuqitë e tyre. Qëndrojnë të parrethprerë bashkë me ata që janë shpuar nga shpata dhe mbajnë turpin e tyre bashkë me ata që zbresin në gropë.

31Faraoni do t'i shohë dhe do të ngushëllohet për të gjithë turmën e tij; Faraoni dhe tërë ushtria e tij do të shpohen nga shpata", thotë Zoti, Zoti. 32Ndonëse e lashë të përhapë tmerrin e tij mbi dheun e të gjallëve, Faraoni me gjithë turmën e tij, do të vihet të qëndrojë në mes të atyre që nuk janë rrethprerë, me ata që janë shpuar nga shpata, thotë Zoti, Zoti.



Albanian, ABS Version 1994

This text is copyright the Albanian Bible Society (ABS)

Bible Hub

Ezekiel 31
Top of Page
Top of Page