Jobi 11
Albanian
1Atëherë Zofari nga Naamathi u përgjigj dhe tha:

2Një mori e tillë fjalësh a do të mbetet pa përgjigje? A duhet të ketë të drejtë një njeri fjalëshumë?

3Llafet e tua a do t'ua mbyllin gojën njerëzve? Ti do të tallesh dhe asnjë mos të të bëjë me turp?

4Ti ke thënë: "Doktrina ime është e pastër dhe jam i pakritikueshëm para teje".

5Por po të donte Perëndia të fliste dhe të hapte gojën e tij kundër teje,

6për të treguar të fshehtat e diturisë, sepse dituria e vërtetë është e shumëtrajtshme, atëherë do të mësoje se Perëndia harron një pjesë të fajit tënd.

7A mundesh ti të hulumtosh thellësitë e Perëndisë? A mund të depërtosh në përsosmërinë e të Plotfuqishmit?

8Janë më të larta se qielli; çfarë mund të bësh? janë më të thella se Sheoli: çfarë mund të dish?

9Madhësia e tyre është më e gjatë se toka dhe më e gjerë se deti.

10Në rast se Perëndia kalon, burgos dhe nxjerr në gjyq, kush mund t'ia pengojë këtë veprim?

11Sepse ai i njeh njerëzit e rremë; e sheh padrejtësinë dhe e kqyr.

12Njeriu i pamend do të bëhet i urtë, kur kërriçi i gomares së egër të bëhet njeri.

13Në rast se e përgatit zemrën tënde dhe shtrin ndaj saj duart e tua,

14në rast se largon padrejtësinë që është në duart e tua dhe nuk lejon që çoroditja të zërë vend në çadrat e tua,

15atëherë do të mund të lartosh ballin tënd pa njollë, do të jesh i patundur dhe nuk do të kesh frikë,

16sepse do të harrosh hallet e tua, do t'i kujtosh si uji që ka rrjedhur;

17jeta jote do të jetë më e ndritur se mesdita, edhe errësira për ty do të ishte si mëngjesi.

18Do të jesh i sigurt sepse ka shpresë; do të shikosh rreth e qark dhe do të pushosh në siguri.

19Do të biesh të flesh dhe nuk do të ketë njeri që të të trembë dhe shumë persona do të kërkojnë favorin tënd.

20Por sytë e të pabesëve do të treten; çdo shpëtim do t'u pritet, dhe shpresa e tyre do të jetë grahma e fundit".



Albanian, ABS Version 1994

This text is copyright the Albanian Bible Society (ABS)

Bible Hub

Job 10
Top of Page
Top of Page