Albanian 1Atëherë Jobi u përgjigj dhe tha: 2Pa dyshim ju jeni njerëz të urtë, dhe dituria do të marrë fund me ju. 3Edhe unë kam mendje si ju, dhe nuk bie më poshtë se ju; përveç kësaj, kush nuk i di gjërat si këto? 4Jam bërë gazi i miqve të mi; unë, të cilit Perëndia i përgjigjej kur i drejtohesha; të drejtin, të ndershmin, e kanë vënë në lojë. 5Një llambë, e përçmuar në mendimet e atyre që jetojnë në mes të të mirave, është përgatitur për ata të cilëve u merren këmbët. 6Çadrat e cubave përkundrazi janë të qeta dhe e ndjejnë veten të sigurt ata që provokojnë Perëndinë dhe që e hyjnizojnë forcën e tyre. 7Por pyeti tani kafshët dhe do të të mësojnë, zogjtë e qiellit dhe do të ta thonë, 8ose foli tokës, dhe ajo do të të mësojë, dhe peshqit e detit do të ta tregojnë. 9Midis tërë këtyre krijesave, cila nuk e di që dora e Zotit i ka bërë këto? 10Ai ka në dorë të tij jetën e çdo gjallese dhe frymën e çdo qenieje njerëzore. 11Veshi a nuk i shqyrton vallë fjalët, ashtu si i shijon qiellza ushqimet? 12Ndër pleqtë gjejmë diturinë, dhe gjatësia e ditëve u jep edhe gjykimin. 13Por tek ai gjejmë diturinë dhe forcën, atij i përkasin mendja dhe gjykimi. 14Në rast se ai shkatërron, askush nuk mund të rindërtojë; në rast se fut në burg dikë, askush nuk mund t'ia hapë. 15Në rast se i ndal ujërat, çdo gjë thahet; po t'i lërë të lira, përmbytin tokën. 16Ai zotëron forcën dhe diturinë; prej tij varen ai që mashtrohet dhe ai që mashtron. 17Ai i bën këshilltarët të ecin zbathur, i bën gjyqtarët të pamend. 18Këput verigat e imponuara nga mbretërit dhe lidh me zinxhirë ijet e tyre. 19I bën që të ecin zbathur priftërinjtë dhe përmbys të fuqishmit. 20I lë pa gojë ata tek të cilët ka besim dhe i lë pa mend pleqtë. 21Zbraz përçmimin mbi fisnikët dhe ua liron brezin të fortëve. 22Zbulon gjërat e thella të fshehura në terr dhe sjell në dritë hijen e vdekjes. 23I bën të mëdha kombet dhe pastaj i shkatërron, i zgjeron kombet dhe pastaj i mërgon. 24U heq arsyen sundimtarëve të tokës dhe i bën të enden në vende të shkreta pa rrugë. 25Ecin verbërisht në terr pa dritë dhe i bën të ecin si të dehur". |