Albanian 1Ja ç'më bëri të shoh Zoti, Zoti: ishte një shportë me fruta vere.
2Ai më tha: "Amos, çfarë po shikon?". Unë u përgjigja: "Një shportë me fruta vere". Zoti më tha: "Erdhi fundi për popullin tim të Izraelit; nuk do ta fal më gjatë.
3Atë ditë këngët e tempullit do të bëhen vajtime", thotë Zoti, Zoti. "Do të ketë kudo shumë kufoma; do t'i hedhin jashtë në heshtje". 4Dëgjoni këtë, o ju që gllabëroni nevojtarin dhe shfarosni të varfërit e vendit, 5dhe thoni: "Kur do të kalojë hëna e re që të mund të shesim grurin, dhe e shtuna që të fillojmë shitjen e grurit, duke e zvogëluar efan dhe duke rritur siklin, duke falsifikuar peshoret për të mashtruar, 6duke i blerë të varfrit me para, nevojtarin për një palë sandale dhe duke shitur edhe skarcitetet e grurit?". 7Zoti është betuar për krenarinë e Jakobit: "Nuk do të harroj asnjë nga veprat e tyre. 8A nuk do të dridhet vallë vendi për këtë dhe nuk do të jenë në zi tërë banorët e tij? Do të ngrihet i tëri si Nili, do të trazohet dhe do të ulet si lumi i Egjiptit. 9Atë ditë do të ndodhë", thotë Zoti, Zoti, "që unë do ta bëj diellin të perëndojë në mesditë dhe do ta errësoj tokën ditën. 10Do t'i shndërroj festat tuaja në zi dhe të gjitha këngët tuaja në vajtime; do të bëj që secili të vishet me thes dhe do ta bëj të shogët çdo kokë. Do ta bëj si një zi për një bir të vetëm dhe fundi i tij do të jetë një ditë trishtimi. 11Ja, do të vijnë ditët", thotë Zoti, Zoti, "gjatë të cilave unë do të dërgoj urinë në vend, jo uri për bukë dhe etje për ujë, por më tepër për të dëgjuar fjalët e Zotit. 12Ata do të shkojnë duke u endur nga një det në tjetrin, nga veriu në lindje, do të rendin sa andej dhe këtej në kërkim të fjalës të Zotit, por nuk do ta gjejnë. 13Atë ditë vajzat e bukura dhe djemtë e zgjedhur do të ligështohen nga etja. 14Ata që betohen për mëkatin e Samarisë dhe thonë: "Ashtu si Perëndia yt rron, o Dan", dhe: "Si rron Beer-Sheba", do të rrëzohen dhe nuk do të çohen më". |