Albanian 1Sa e bukur je, o mikja ime, sa e bukur je! Sytë e tu prapa velit tënd janë si ato të pëllumbeshave; flokët e tu janë si një kope dhish, që kullosin në malin Galaad. 2Dhëmbët e tua janë si një kope delesh të qethura, që kthehen nga vendi i larjes; të gjitha kanë binjakët e tyre dhe asnjë prej tyre nuk është shterpë. 3Buzët e tua janë si një fije e kuqe flakë, dhe goja jote është e këndshme; tëmthat e tu prapa velit tënd janë si një thelë shege. 4Qafa jote është si kulla e Davidit, e ndërtuar për një armëri; mbi të cilën janë varur një mijë mburoja, të gjitha mburojat të njerëzve trima. 5Të dy sisët e tua janë si dy kaproj të vegjël, binjake të gazelave, që kullosin midis zambakëve. 6Përpara se flladi i ditës të ndihet dhe hijet të ikin, do të shkoj në malin e mirrës dhe në kodrën e temjanit. 7Ti je e tëra e bukur, mikja ime, dhe nuk ka në ty asnjë të metë. 8Eja me mua nga Libani, o nusja ime, eja me mua nga Libani! Shiko nga maja e Amanas, nga maja e Senirit dhe e Hermonit, nga strofkat e luanëve dhe nga malet e leopardëve. 9Ti më ke rrëmbyer zemrën, o motra ime, nusja ime; ti më ke rrëmbyer zemrën me një shikim të vetëm të syve të tu, me një gushore të vetme të qafës sate. 10Sa e kënaqshme është dashuria jote, o motra ime, nusja ime! Sa më e mirë se vera është dashuria jote dhe aroma e vajrave të tua të parfumuara është më e këndshme se gjithë aromat! 11Nusja ime, buzët e tua pikojnë si një huall mjaltë, mjaltë dhe qumësht ka nën gjuhën tënde, dhe aroma e rrobave të tua është si aroma e Libanit. 12Motra ime, nusja ime, është një kopsht i mbyllur, një burim i mbyllur, gurrë e vulosur. 13Filizat e tua janë një kopësht shegësh me fryte të zgjedhura me bimë të alkanës me nardo, 14me nardo dhe kroko, kanellë dhe çinamom, me të gjitha llojet e drurëve të temjanit, të mirrës dhe të aloes, me të gjitha aromat më të mira. 15Ti je një burim lulishtesh, një pus ujërash të freskëta, rrëkesh që dalin nga Libani. 16Zgjohu, o veri dhe eja, o jugë; fryj mbi kopshtin tim, dhe aromat e tij të përhapen! Le të hyjë i dashuri im në kopshtin e tij dhe të hajë frytet e zgjedhura! |