Albanian 1Dhe m'u dha një kallam që i ngjante një shufre. Dhe engjëlli duke qëndruar në këmbë tha: ''Çohu dhe mat tempullin e Perëndisë, altarin dhe ata që adhurojnë atje,
2dhe oborrin që është jashtë tempullit lëre dhe mos e mat, sepse u është dhënë johebrenjve; dhe ata do ta shkelin qytetin e shenjtë për dyzet e dy muaj.
3Dhe unë do t'u jap të dy dëshmitarëve të mi për të profetizuar, dhe ata do të profetizojnë një mijë e dyqind e gjashtëdhjetë ditë, të veshur me thasë.
4Këta janë të dy drurët e ullirit dhe të dy shandanët që rrijnë përpara Perëndisë së dheut.
5Dhe, nëse ndokush dëshiron t'u bëjë keq atyre, nga goja e tyre del zjarr dhe i gllabëron armiqtë e tyre; dhe kushdo që dëshëron t'u bëjë keq atyre, në këtë mënyrë duhet vrarë.
6Ata kanë pushtet të mbyllin qiellin, që të mos bjerë shi në ditët e profecisë së tyre; ata kanë edhe pushtet mbi ujërat t'i kthejnë në gjak dhe për të goditur dheun me çdo plagë, sa herë të duan. 7Dhe kur ta kryejnë dëshminë e tyre, bisha që ngjitet nga humnera do të bëjë luftë kundër tyre, edhe do t'i mundë ata, dhe do t'i vrasë. 8Dhe kufomat e tyre do të dergjen në sheshin e qytetit të madh, i cili frymërisht quhet Sodomë dhe Egjipt, ku është kryqëzuar edhe Zoti ynë. 9Dhe njerëz nga popuj, dhe fise, dhe gjuhë, dhe kombe do të shohin kufomat e tyre për tri ditë e gjysmë, dhe nuk do të lënë që kufomat e tyre të shtihen në varr. 10Dhe banorët e dheut do të ngazëllojnë për ata dhe do të bëjnë festë; dhe do t'i dërgojnë njeri tjetrit dhurata, sepse këta dy profetë i munduan ata që banojnë mbi dhe''. 11Por mbas tri ditë e gjysmë, fryma e jetës që buron nga Perëndia hyri në ta; edhe qëndruan në këmbët e tyre, dhe një tmerr e madh ra mbi ata që i shikonin. 12Edhe dëgjuan një zë të madh nga qielli duke u thënë atyre: ''Ngjituni këtu lart''. Dhe u ngjitën në qiell në një re; dhe armiqtë e tyre i panë. 13Dhe në atë orë ra një tërmet i madh, dhe e dhjeta pjesë e qytetit u rrëzua, dhe në tërmet u vranë shtatë mijë njerëz; dhe të tjerët u tmerruan dhe i dhanë lavdi Perëndisë së qiellit. 14Mjerimi i dytë kaloi, por ja, mjerimi i tretë do vijë së shpejti. 15Dhe engjëlli i shtatë i ra borisë dhe u bënë zëra të mëdhenj në qiell që thoshnin: ''Mbretëritë e botës u bënë mbretëri të Zotit tonë dhe të Krishtit të tij, dhe ai do të mbretërojë në shekuj të shekujve''. 16Atëherë të njëzet e katër pleqtë që rrinin përpara Perëndisë mbi fronet e tyre, ranë përmbys mbi fytyrat e veta dhe adhuruan Perëndinë, 17duke thënë: ''Ne të falënderojmë, o Zot, Perëndi i Plotfuqishmi, që je, që ishe dhe që do të vish, sepse more në dorë pushtetin tënd të madh, dhe mbretëron. 18Kombet ishin zemëruar, por erdhi mëria jote, dhe erdhi koha që të gjykohen të vdekurit dhe t'u jepet paga shërbëtorëve të tu, profetëve, dhe shenjtorëve, dhe atyre që druajnë emrin tënd, të vegjëlve dhe të mëdhenjve, dhe të shkatërrosh ata që shkatërrojnë dheun''. 19Atëherë u hap tempulli i Perëndisë në qiell dhe u duk arka e besëlidhjes së tij, dhe ndodhnin vetëtima, dhe zëra, dhe bubullima, dhe tërmet, dhe një rebesh i fortë breshëri. |