Albanian 1Unë do të këndoj përjetë mirësitë e Zotit, me gojën time do t'u shpall besnikërinë tënde të gjitha brezave. 2Sepse kam thënë: "Mirësia jote do të ekzistojë përjetë, ti do të vendosësh besnikërinë tënde në vetë qiejtë". 3Unë kam lidhur një besëlidhje me të zgjedhurin tim, i jam betuar Davidit, shërbëtorit tim, duke thënë: 4Do t'i vendos pasardhësit e tu përjetë dhe do të ndërtoj fronin tënd për të gjitha brezat". (Sela) 5Dhe qiejtë do të kremtojnë mrekullitë e tua, o Zot, dhe besnikërinë tënde në kuvendin e shenjtorëve. 6Sepse kush mund të krahasohet në qiell me Zotin? Dhe kush është i njëllojtë me Zotin midis bijve të të Fuqishmit? 7Perëndisë ia kanë frikën shumë në kuvendin e shenjtorëve, dhe respektohet thellë nga tërë ata që e rrethojnë. 8O Zot, Perëndi i ushtrive, kush është i fuqishëm si ti, o Zot? Besnikëria jote të rrethon kudo. 9Ti e sundon tërbimin e detit; kur valët e tij ngrihen, ti i qetëson. 10Ti e ke bërë copë-copë Egjiptin, duke e plagosur për vdekje; me krah të fuqishëm ke shpërndarë armiqtë e tu. 11Qiejtë janë të tutë, edhe toka është jotja; ti e ke krijuar botën dhe të gjitha atë që janë në të. 12Ti ke krijuar veriun dhe jugun; Tabori dhe Hermoni lëshojnë britma gëzimi kur dëgjojnë emrin tënd. 13Ti ke krah të fuqishëm; dora jote është e fortë, e djathta jote ngrihet në qiell. 14Drejtësia dhe e drejta përbëjnë bazën e fronit tënd; mirësia dhe e vërteta shkojnë përpara fytyrës sate. 15Lum ai popull që njeh britmën e gëzimit, o Zot, sepse ai do të ecë në dritën e fytyrës sate; 16do të ngazëllojë tërë ditën me emrin tënd dhe do të gëzohet shumë në drejtësinë tënde. 17Po, ti je mburrja e forcës së tyre, dhe me favorin tënd ti e shton fuqinë tonë. 18Sepse mburoja jonë i përket Zotit dhe mbreti ynë të Shenjtit të Izraelit. 19Ti i fole atëherë në vegim të dashurit tënd dhe the: "Ndihmova një të fuqishëm, përlëvdova një të zgjedhur nga populli. 20Gjeta Davidin, shërbëtorin tim, dhe e vajosa me vajin tim të shenjtë. 21Dora ime do ta përkrahë me vendosmëri dhe krahu im do ta forcojë. 22Armiku nuk do ta shtypë dhe i ligu nuk do ta pikëllojë. 23Do të asgjesoj para tij armiqtë e tij dhe do të godas ata që e urrejnë. 24Besnikëria ime dhe mirësia ime do të jenë me të, dhe me emrin tim do të bëhet i fuqishëm. 25Do ta shtrij dorën e tij mbi detin dhe dorën e djathtë të tij mbi lumenjtë. 26Ai do të kërkojë ndihmën time, duke thënë: "Ti je Ati im, Perëndia im dhe Kështjella ime e shpëtimit". 27Do ta bëj gjithashtu të parëlindurin tim, më të shkëlqyerin ndër mbretërit e dheut. 28Do të përdor mirësi ndaj tij përjetë, dhe besëlidhja ime me të do të mbetet e qëndrueshme. 29Do t'i bëj gjithashtu pasardhësit e tij të përjetshem dhe fronin e tij si ditët e qiejve. 30Në rast se bijtë e tij braktisin ligjin tim dhe nuk ecin, sipas urdhërimeve të mia, 31në rast se shkelin statutet e mia dhe nuk respektojnë urdhërimet e mia, 32unë do ta dënoj shkeljen e tyre me shufër dhe paudhësinë e tyre me të rrahura, 33por nuk do ta heq mirësinë time prej tij dhe nuk do të lë që besnikëria ime të jetë e mangët. 34Nuk do të shkel besëlidhjen time dhe nuk do t'i ndryshoj fjalët që kanë dalë nga goja ime. 35Jam betuar një herë për shenjtërinë time dhe nuk do ta gënjej Davidin; 36pasardhësit e tij do të jenë përjetë dhe froni i tij do të jetë si dielli para meje, 37do të jenë të qëndrueshëm si hëna, dhe dëshmitari në qiell është besnik". (Sela) 38Por ti na ke braktisur dhe na ke kthyer; je zemëruar shumë kundër të vajosurin tënd. 39Ti ke përçmuar besëlidhjen e lidhur me shërbëtorin tënd dhe ke përdhosur kurorën e tij, duke bërë që të bjerë për tokë. 40Ke shembur gjithë mbrojtjet e tij dhe i ke katandisur në gërmadha kalatë e tij. 41Tërë kalimtarët e kanë plaçkitur dhe ai është bërë gazi i fqinjëve të tij. 42Ke lavdëruar dorën e djathtë të kundërshtarëve të tij dhe ke bërë të gëzohen tërë armiqtë e tu. 43Ke prishur tehun e shpatës së tij dhe nuk e ke ndihmuar në betejë. 44I ke dhënë fund madhështisë së tij dhe ke hedhur për tokë fronin e tij. 45Ke shkurtuar ditët e rinisë së tij dhe e ke mbuluar me turp. (Sela) 46Deri kur, o Zot? A do të fshihesh ti përjetë? A do të flakërojë si zjarr zemërimi yt? 47Kujto sa e shkurtër është jeta ime. Për çfarë kotësie ke krijuar gjithë bijtë e njerëzve? 48Cili është njeriu që jeton, pa parë vdekjen dhe që mund ta shkëputë jetën e tij nga pushteti Sheolit? (Sela) 49Ku janë, o Zot, mirësitë e tua të lashta, për të cilat iu betove Davidit në besnikërinë tënde? 50Kujto, o Zot, fyerjen që iu bë shërbëtorëve të tu, dhe si unë mbaj në zemër fyerjen e rëndë të të gjitha kombeve, 51me të cilën armiqtë e tu kanë fyer, o Zot, me të cilën kanë fyer hapat e të vajosurit tënd. 52I bekuar qoftë Zoti përjetë. Amen, po, amen! |