Numrat 32
Albanian
1Bijtë e Rubenit dhe bijtë e Gadit kishin një sasi jashtëzakonisht të madhe bagëtish; dhe kur panë që vendi i Jazerit dhe vendi i Galaadit ishin një tokë e përshtatshme për të rritur bagëti, 2bijtë e Gadit dhe bijtë e Rubenit erdhën për të folur me Moisiun, me priftin Eleazar dhe me prijësit e asamblesë, dhe thanë: 3Atarothi, Diboni, Jaazeri, Nimrahu, Heshboni, Elealehu, Sebami, Nebo dhe Beoni, 4vendi që Zoti ka goditur para asamblesë së Izraelit, është një vend i përshtatshëm për të rritur bagëti, dhe shërbëtorët e tu kanë bagëti". 5Ata thanë akoma: "Në rast se kemi gjetur hirin tënd, jepua këtë vend shërbëtorëve të tu në pronësi dhe mos na bëj të kalojmë Jordanin".

6Por Moisiu iu përgjegj bijve të Gadit dhe bijve të Rubenit: "A duhet të shkojnë në luftë vëllezërit tuaj, ndërsa ju po rrini këtu? 7Pse duhet të demoralizoni zemrat e bijve të Izraelit që të hyjnë në vendin që u ka dhënë Zoti? 8Kështu vepruan etërit tuaj kur i nisa nga Kadesh-Barneu për ta vëzhguar vendin. 9U ngjitën deri në luginën e Eshkolit; dhe, pasi e panë vendin, i demoralizuan zemrat e bijve të Izraelit, dhe kështu këta nuk hynë në vendin që Zoti u kishte dhënë. 10Kështu zemërimi i Zotit u ndez atë ditë dhe ai u betua, duke thënë: 11Me siguri asnjë nga njerëzit, që kanë ardhur nga vendi i Egjiptit në moshën njëzet e një vjeç e lart nuk do ta shohë kurrë vendin që jam betuar t'u jap Abrahamit, Isaut dhe Jakobit, sepse ata nuk më kanë ndjekur plotësisht, 12me përjashtim të Kalebit, birit të Jenufeut, i quajtur Kenizeu, dhe të Jozueut, birit të Nunit, sepse këta e kanë ndjekur plotësisht Zotin". 13Kështu zemërimi i Zotit u ndez kundër Izraelit; dhe ai bëri të enden dyzet vjet në shkretëtirë, deri sa mbaroi gjithë brezi që kishte bërë të këqia para Zotit. 14Dhe ja, ju po zini vendin e etërve tuaj, një farë mëkatarësh, për të rritur edhe më zemërimin e zjarrtë të Zotit kundër Izraelit. 15Sepse, po të refuzoni të shkoni pas tij, ai do të vazhdojë ta lërë Izraelin në shkretëtirë, dhe ju do të shkaktoni humbjen e tërë këtij populli".

16Atëherë ata iu afruan Moisiut dhe i thanë: "Ne do të ndërtojmë këtu vathë për bagëtinë tonë dhe qytete për të vegjlit tanë; 17por ne jemi gati të marshojmë me armë në krye të bijve të Izraelit, deri sa t'i çojmë në vendin e tyre; ndërkaq të vegjlit tanë do të banojnë në qytetet e fortifikuara për shkak të banorëve të vendit. 18Nuk do të kthehemi në shtëpitë tona derisa secili nga bijtë e Izraelit të ketë shtënë në dorë trashëgiminë e tij, 19sepse nuk do të pranojë asnjë trashëgimi bashkë me ta matanë Jordanit dhe më tutje, sepse trashëgimia jonë na ra nga kjo anë e Jordanit, në drejtim të lindjes".

20Atëherë Moisiu u tha atyre: "Në rast se bëni këtë, në rast se armatoseni për luftë para Zotit, 21dhe tërë njerëzit e armatosur kalojnë Jordanin para Zotit, deri sa ai t'i ketë dëbuar armiqtë e tij nga prania e tij 22dhe toka të jetë nënshtruar para Zotit dhe mbas kësaj ju ktheheni prapa, atëherë nuk do të jeni fajtorë para Zotit dhe para Izraelit, dhe ky vend do të jetë prona juaj para Zotit. 23Dhe në qoftë se nuk veproni kështu, atëherë do të mëkatoni kundër Zotit; dhe të jeni të sigurtë që mëkati juaj do t'ju gjejë. 24Ndërtoni qytete për të vegjlit tuaj dhe vathë për kopetë tuaja, dhe bëni atë që goja juaj ka thënë".

25Dhe bijtë e Gadit dhe bijtë e Rubenit i folën Moisiut duke i thënë: "Shërbëtorët e tu do të bëjnë ashtu si urdhëron zotëria im. 26Të vegjlit tanë, bashkëshortet tona, kopetë tona dhe tërë bagëtia jonë do të mbeten këtu në qytetet e Galaadit; 27por shërbëtorët e tu, tërë njerëzit e armatosur për luftë, do ta kalojnë Jordanin për të luftuar para Zotit ashtu siç thotë zotëria ime".

28Atëherë Moisiu u dha porosi për ta priftit Eleazar, Jozueut, birit të Nunit, dhe kryefamiljarëve të fiseve të bijve të Izraelit. 29Moisiu u tha atyre: "Në rast se bijtë e Gadit dhe bijtë e Rubenit e kalojnë Jordanin bashkë me ju, tërë njerëzit e armatosur për të luftuar para Zotit, dhe vendi do të nënshtrohet para jush, do t'u jepni atyre si pronë vendin e Galaadit. 30Por në rast se nuk e kalojnë Jordanin të armatosur bashkë me ju, do të kenë prona në mes jush në vendin e Kanaanit". 31Atëherë bijtë e Gadit dhe bijtë e Rubenit u përgjigjën duke thënë: "Do të veprojmë ashtu si u ka thënë Zoti shërbëtorëve të tu. 32Do ta kalojmë Jordanin të armatosur para Zotit në vendin e Kanaanit, me qëllim që zotërimi i trashëgimisë sonë të mbetet nga kjo anë e Jordanit".

33Moisiu u dha kështu bijve të Gadit, bijve të Rubenit dhe gjysmës së fisit të Manasit, birit të Jozefit, mbretërinë e Sihonit, mbretit të Amorejve, dhe mbretërinë e Ogut, mbretit të Bashabit, vendin me qytetet përreth. 34Kështu bijtë e Gadit ndërtuan Dibonin, Atarothin, Aroerin, 35Atroth-Shofanin, Jaazerin, Jogbehahun, 36Beth-Nimrahun dhe Beth-Aranin, qytete të fortifikuara, dhe vathë për kopetë e bagëtive. 37Bijtë e Rubenit ndërtuan Heshbonin, Elealehun, Kirjathaimin, 38Neboh dhe Baal-Meonin (emrat e tyre janë ndryshuar) dhe Sibmahun; dhe u vunë emra të tjerë qyteteve që ndërtuan. 39Dhe bijtë e Makirit, birit të Manasit, shkuan në vendin e Galaadit, e pushtuan dhe shpronësuan Amorejtë që banonin aty. 40Kështu Moisiu i dha Galaadin Makirit, birit të Manasit, i cili u vendos aty. 41Jairi, bir i Manasit, shkoi dhepushtoi fshatrat e tyre dhe i quajti Havoth-Jair. 42Nobahu përkundrazi shkoi dhe pushtoi Kenathin me lagjet e tij të jashtme; dhe e quajti Nobah simbas emrit të tij.



Albanian, ABS Version 1994

This text is copyright the Albanian Bible Society (ABS)

Bible Hub

Numbers 31
Top of Page
Top of Page