Eksodi 17
Albanian
1Pastaj tërë asambleja e bijve të Izraelit u nis nga shkretëtira e Sinit, duke marshuar me etapa sipas urdhrave të Zotit, dhe u vendos në Redifim. Por nuk kishte ujë të pijshëm për popullin. 2Atëherë populli u grind me Moisiun dhe i tha: "Na jep ujë për të pirë". Moisiu u përgjigj: "Pse grindeni me mua? Pse tundoni Zotin?". 3Atje populli pati etje për ujë dhe murmuriti kundër Moisiut, duke thënë: "Pse na bëre të ikim nga Egjipti që të vdesim nga etja ne, bijtë tanë dhe bagëtia jonë?". 4Kështu Moisiu i thirri Zotit, duke i thënë: "Çfarë të bëj për këtë popull? Edhe pak dhe ata do të më vrasin me gurë". 5Zoti i tha Moisiut: "Kalo para popullit dhe merr me vete disa pleq nga Izraeli; merr në dorë edhe bastunin me të cilin rrahe lumin, dhe nisu. 6Ja, unë do të rri përpara teje, atje mbi shkëmbin në Horeb; ti do të rrahësh shkëmbin, prej të cilit do të burojë ujë dhe populli do të pijë". Kështu bëri Moisiu para syve të pleqve të Izraelit. 7Prandaj e quajti këtë vend Masa dhe Meriba për shkak të grindjeve që pati me bijtë e Izraelit, dhe sepse kishin tunduar Zotin, duke thënë: "A është vallë Zoti në mes nesh, apo jo?".

8Atëherë erdhi Amaleku për të luftuar kundër Izraelit në Refidim. 9Dhe Moisiu i tha Jozueut: "Zgjidh për ne disa burra dhe dil për të luftuar kundër Amalekut; nesër do të jem në majë të kodrës me shkopin e Perëndisë në dorë". 10Jozueu bëri ashtu siç i kishte thënë Moisiu dhe luftoi kundër Amalekut, ndërsa Moisiu, Aaroni dhe Huri u ngjitën në majë të kodrës. 11Dhe ndodhi që, kur Moisiu ngrinte dorën e tij, Izraeli fitonte; përkundrazi, kur e ulte dorën, fitonte Amaleku. 12Por duart e Moisiut ishin rënduar, kështu që ata morën një gur dhe ia vunë poshtë, ai u ul mbi të ndërsa Aaroni dhe Huri ia mbanin duart, njëri nga një krah, tjetri nga krahu tjetër; kështu duart e tij mbetën të palëvizura deri në perëndimin e diellit. 13Prandaj Jozueu mundi Amalekun dhe njerëzit e tij, duke i prerë me shpata.

14Pastaj Zoti i tha Moisiut: "Shkruaje këtë ngjarje në një libër, që të mos harrohet kurrë, dhe njofto Jozueun që unë do ta fshij fare kujtimin e Amalekut nën qiellin". 15Moisiu ndërtoi pastaj një altar, të cilit i vuri emrin: "Zoti është flamuri im"; dhe tha: 16Dora u ngrit kundër fronit të Zotit, dhe Zoti do t'i bëjë luftë Amalekut brez pas brezi.



Albanian, ABS Version 1994

This text is copyright the Albanian Bible Society (ABS)

Bible Hub

Exodus 16
Top of Page
Top of Page