Albanian 1Në fillim të mbretërimit të Jehojakimit, birit të Josias, mbret i Judës, kjo fjalë iu drejtua Jeremias nga Zoti:
2Kështu më ka thënë Zoti: Bëj lidhje dhe krijo zgjedhë dhe vari mbi qafën tënde;
3pastaj ia dërgo mbretit Edom, mbretit të Moabit, mbretit të bijve të Amonit, mbretit të Tiros dhe mbretit të Sidonit, me anë të ambasadorëve të Sedekias, mbretit të Judës, të ardhur në Jeruzalem;
4dhe jepu urdhër që t'u thonë kështu zotërive të tyre: "Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: Kështu do t'u thoni zotërive tuaj:
5Unë kam bërë tokën, njerëzit dhe kafshët që janë mbi faqen e dheut, me fuqinë time të madhe dhe me krahun tim të shtrirë, dhe ia jap atij që më duket i mirë në sytë e mi.
6Dhe tani tërë këto vende ia kam dhënë në dorë Nebukadnetsarit, mbretit të Babilonisë, shërbëtorit tim; atij i kam dhënë gjithashtu kafshët e fshatrave që t'i shërbejnë.
7Kështu tërë kombet do t'i shërbejnë atij, birit të tij dhe birit të birit të tij, deri sa të vijë koha edhe për vendin e tij; atëherë shumë kombe me mbretër të fuqishëm do ta katandisin në robëri. 8Dhe do të ndodhë që kombi ose mbretëria që nuk do të dëshirojë t'i shërbejë atij, Nebukadnetsarit, mbretit të Babilonisë, dhe ta vërë qafën e tij nën zgjedhën e mbretit të Babilonisë, atë komb unë do ta dënoj"", thotë Zoti, "me shpatën, me urinë dhe me murtajën, deri sa t'i kem shfarosur me dorë të tij. 9Prandaj mos dëgjoni profetët tuaj, as shortarët tuaj, as ata që shikojnë ëndrra, as magjistarët tuaj që ju thonë: "Nuk do të robëroheni nga mbreti i Babilonisë!". 10Po, ata ju profetizojnë gënjeshtra që t'ju largojnë nga vendi juaj, që unë t'ju shpërndaj dhe ju të vdisni. 11Por kombin që do ta vërë qafën e tij nën zgjedhën e mbretit të Babilonisë dhe do t'i shërbejë atij, unë do ta lë në vendin e tij", thotë Zoti, "dhe ai do ta punojë dhe do të qëndrojë aty". 12Unë i fola, pra, Sedekias, mbretit të Judës, në përputhje me tërë këto fjalë dhe i thashë: "Përkulni qafën tuaj nën zgjedhën e mbretit të Babilonisë, i shërbeni atij dhe popullit të tij dhe do të jetoni. 13Pse ti dhe populli yt dëshironi të vdisni nga shpata, nga uria dhe nga murtaja, ashtu si ka folur Zoti kundër kombit që nuk dëshiron t'i shërbejë mbretit të Babilonisë? 14Prandaj mos dëgjoni fjalët e profetëve që ju thonë: "Nuk do t'i shërbeni mbretit të Babilonisë", sepse ju profetizojnë gënjeshtrën". 15Sepse unë nuk i kam dërguar, thotë Zoti, "por ata profetizojnë gënjeshtrën në emrin tim, me qëllim që unë t'ju shpërndaj dhe ju të vdisni, ju dhe profetët që ju profetizojnë". 16U fola gjithashtu priftërinjve dhe tërë këtij populli, duke thënë: "Kështu thotë Zoti: Mos dëgjoni fjalët e profetëve tuaj që ju profetizojnë duke thënë: "Ja, tani orenditë e shtëpisë të Zotit do të kthehen shpejt nga Babilonia", sepse ju profetizojnë gënjeshtrën. 17Mos i dëgjoni ata! I shërbeni mbretit të Babilonisë dhe keni për të jetuar. Pse ky qytet duhet të katandiset në një shkretinë? 18Në rast se janë profetë dhe fjala e Zotit është me ta, le të ndërhyjnë tani pranë Zotit të ushtrive në mënyrë që orenditë që kanë mbetur në shtëpinë e Zotit, në shtëpinë e mbretit të Judës dhe në Jeruzalem, të mos shkojnë në Babiloni". 19Kështu thotë Zoti i ushtrive për shtyllat, detin, qerret dhe pjesën tjetër të orendive që kanë mbetur në këtë qytet, 20të cilat Nebukadnetsari, mbreti i Babilonisë, nuk i mori, kur internoi Jekoniahun, birin e Jehojakimit, mbretit të Judës, nga Jeruzalemi në Babiloni së bashku me tërë fisnikët e Judës dhe të Jeruzalemit; 21po, kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit, për orenditë që kanë mbetur në shtëpinë e Zotit, në shtëpinë e mbretit të Judës dhe në Jeruzalem: 22Do të çohen në Babiloni dhe aty do të mbeten, deri sa t'i kërkoj unë, thotë Zoti, "dhe do të bëj të dalin përsëri dhe të kthehen në këtë vend". |