Hebrenjve 4
Albanian
1Prandaj, përderisa mbetet akoma një premtim për të hyrë në prehjen e tij, le të kemi frikë se mos ndonjë nga ju të mbetet jashtë. 2Në fakt neve si edhe atyre u ishte shpallur lajmi i mirë, por fjala e predikimit nuk u dha dobi fare, sepse nuk qe e bashkuar me besimin tek ata që e dëgjuan.

3Sepse ne që besuam hyjmë në prehje, siç tha ai: ''Kështu u përbetova në mërinë time: nuk do të hyjnë në prehjen time'', ndonëse veprat e tij u mbaruan që kur se u krijua bota.

4Sepse diku ai ka thënë kështu për të shtatën ditë: ''Dhe Perëndia u preh të shtatën ditë nga të gjitha veprat e tij''; 5dhe po aty: ''Nuk do të hyjnë në prehjen time''. 6Mbasi, pra, mbetet që disa të hyjnë në të, ndërsa ata që u ungjillzuan më përpara nuk hyjnë për shkak të mosbesimit të tyre,

7ai cakton përsëri një ditë: "Sot", duke thënë, mbas kaq kohe, me gojën e Davidit: ''Sot, në qoftë se e dëgjoni zërin e tij, mos u bëni zemërgur''.

8Sepse, në qoftë se Jozueu do t'u kishte dhënë prehje, Perëndia nuk do të kishte folur për një ditë tjetër. 9Mbetet, pra, një pushim i së shtunës për popullin e Perëndisë. 10Sepse kush ka hyrë në prehjen e tij, ka bërë pushim edhe ai nga veprat e veta, ashtu si Perëndia nga të tijat. 11Le të përpiqemi, pra, të hyjmë në atë prehje, që askush të mos bjerë në atë shëmbull të mosbindjes. 12Sepse fjala e Perëndisë është e gjallë dhe vepruese, më e mprehtë se çdo shpatë me dy tehe dhe depërton deri në ndarjen e shpirtit dhe të frymës, të nyjeve dhe të palcave, dhe është në gjendje të gjykojë mendimet dhe dëshirat e zemrës. 13Dhe nuk ka asnjë krijesë që të jetë e fshehur para tij, por të gjitha janë lakuriq dhe të zbuluara para syve të Atij, të cilit ne do t'i japim llogari.

14Duke pasur, pra, një kryeprift të madh që ka përshkuar qiejt, Jezusin, Birin e Perëndisë, le të mbajmë fort rrëfimin tonë të besimit. 15Sepse ne nuk kemi kryeprift që nuk mund t'i vijë keq për dobësitë tona, po një që u tundua në të gjitha ashtu si ne, por pa mëkatuar. 16Le t'i afrohemi, pra, me guxim fronit të hirit, që të marrim mëshirë e të gjejmë hir, për të pasur ndihmë në kohë nevoje.



Albanian, ABS Version 1994

This text is copyright the Albanian Bible Society (ABS)

Bible Hub

Hebrews 3
Top of Page
Top of Page