Albanian 1Eliseu i tha gruas, djalin e së cilës e kishte ringjallur: "Çohu dhe shko jashtë, ti me gjithë familjen tënde, për të banuar ku të mundesh, sepse Zoti ka vendosur të pllakosë zia, që do të zgjasë shtatë vjet në vend".
2Kështu gruaja u ngrit dhe veproi sipas fjalës së njeriut të Perëndisë; iku me familjen e saj dhe banoi në vendin e Filistejve shtatë vjet.
3Si kaluan shtatë vjet, gruaja u kthye nga vendi i Filistejve dhe shkoi te mbreti për t'i kërkuar shtëpinë dhe tokat e veta.
4Mbreti ishte duke folur me Gehazin, shërbëtorin e njeriut të Perëndisë, dhe i thoshte: "Tregomë, të lutem, tërë veprat e mëdha që ka bërë Eliseu".
5Pikërisht, ndërsa ai i tregonte mbretit se si Eliseu e kishte ringjallur të vdekurin, ja ku u paraqit gruaja, së cilës ai i kishte ringjallur të birin, për t'i kërkuar mbretit shtëpinë dhe tokat e veta. Atëherë Gehazi tha: "O mbret, o imzot, kjo është gruaja dhe ky është biri që Eliseu ka ringjallur".
6Mbreti e pyeti gruan dhe ajo i tregoi ngjarjen; atëherë mbreti ngarkoi një funksionar, të cilit i tha: "Ktheja tërë atë që i përkasin dhe të gjitha të ardhurat e tokave, nga dita e largimit të saj nga vendi ynë deri më tani". 7Pastaj Eliseu shkoi në Damask. Ben-Hadadi, mbret i Sirisë, ishte i sëmurë dhe e njoftuan: "Njeriu i Perëndisë ka ardhur deri këtu". 8Atëherë mbreti i tha Hazaelit: "Merr me vete një dhuratë dhe shko të takosh njeriun e Perëndisë, dhe këshillohu nëpërmjet tij me Zotin, duke thënë: "A do të shërohem nga kjo sëmundje?"". 9Kështu Hazaeli shkoi të takohet me Eliseun duke sjellë si dhuratë gjërat më të mira të Damaskut: një ngarkesë prej dyzet devesh. Pastaj ai vajti, u paraqit tek ai dhe i tha: "Biri yt Ben-Hadadi, mbret i Sirisë, më ka dërguar te ti për të pyetur: "A do të shërohem nga kjo sëmundje?"". 10Eliseu iu përgjigj: "Shko t'i thuash: "Do të shërohesh me siguri". Por Zoti më bën të shoh se ai ka për të vdekur me siguri". 11Pastaj ai e ngurtësoi fytyrën me një shikim të ngulët deri sa u skuq; pastaj njeriu i Perëndisë filloi të qajë. 12Atëherë Hazaeli pyeti: "Pse po qan zoti im?". Ai u përgjigj: "Sepse e di të keqen që do t'u bësh bijve të Izraelit: do t'u vësh flakën fortesave të tyre, do të vrasësh me shpatë të rinjtë e tyre, do t'i bësh copë-copë fëmijët e tyre dhe do t'i çash barkun grave me barrë". 13Hazaeli tha: "Por ç'është, vallë shërbëtori yt, një qen, që të bëj këtë hata?". Eliseu u përgjigj: "Zoti më bën të shoh që ti do të bëhesh mbret i Sirisë". 14Pastaj Hazaeli u largua nga Eliseu dhe u kthye te zoti e tij, që e pyeti: "Çfarë të tha Eliseu?". Ai u përgjigj: "Më tha që do të shërohesh me siguri". 15Të nesërmen Hazaeli mori një batanije e zhyti në ujë dhe e shtriu mbi fytyrën e mbretit që vdiq. Kështu Hazaeli mbretëroi në vend të tij. 16Vitin e pestë të Joramit, birit të Ashabit, mbret i Izraelit, Jehorami, bir i Jozafatit, mbret i Judës, filloi të mbretërojë mbi Judën. 17Ai ishte tridhjetë e dy vjeç kur filloi të mbretërojë, dhe mbretëroi tetë vjet në Jeruzalem. 18Ndoqi rrugën e mbretërve të Izraelit, ashtu si kishte bërë shtëpia e Ashabit, sepse gruaja e tij ishte një bijë e Ashabit, dhe bëri atë që është e keqe në sytë e Zotit. 19Megjithatë Zoti nuk deshi ta shkatërronte Judën, për hir të dashurisë që kishte për Davidin, shërbëtorin e tij, sepse i kishte premtuar t'u jepte një llambë për gjithnjë atij dhe bijve të tij. 20Gjatë ditëve të mbretërimit të tij, Edomi ngriti krye kundër pushtetit të Judës dhe zgjodhi edhe një mbret. 21Atëherë Jorami shkoi në Tsair me gjithë qerret e tij; pastaj natën u ngrit dhe mundi Edomitët që e kishin rrethuar dhe kapitenët e qerreve, ndërsa njerëzit mundën të ikin në çadrat e tyre. 22Kështu Edomi ka qenë i panënshtruar ndaj pushtetit të Judës deri më ditën e sotme. Në atë kohë edhe Libnahu ngriti krye. 23Pjesa tjetër e bëmave të Joramit dhe të gjitha ato që bëri a nuk janë të shkruara në librin e Kronikave të mbretërve të Judës? 24Kështu Joramin e zuri gjumi bashkë me etërit e tij dhe u varros bashkë me ta në qytetin e Davidit. Në vend të tij mbretëroi i biri, Ashaziahu. 25Në vitin e dymbëdhjetë të Joramit, birit të Ashabit, mbreti i Izraelit, filloi të mbretërojë Ashaziahu, bir i Jerohamit, si mbret i Judës. 26Ashaziahu ishte njëzet e dy vjeç kur filloi të mbretërojë, dhe mbretëroi një vit në Jeruzalem. E ëma quhej Athaliah, ishte mbesa e Omrit, mbretit të Izraelit. 27Ai vazhdoi rrugën e shtëpisë së Ashabit dhe bëri atë që është e keqe në sytë e Zotit, ashtu si shtëpia e Ashabit, sepse ishte i lidhur me marrëdhënie krushqie me shtëpinë e Ashabit. 28Me Joramin, birin e Ashabit, ai shkoi të luftojë kundër Hazaelit, mbretit të Sirisë, në Ramoth të Galaadit; por Sirët plagosën Joramin; 29atëherë mbreti Joram u kthye në Jezreel për të mjekuar plagët që kishte marrë nga Sirët në Ramah, kur luftonte kundër Hazaelit, mbretit të Sirisë. Dhe Ashaziahu, bir i Jerohamit mbret i Judës, zbriti në Jezreel për të parë Joramin, birin e Ashabit, sepse ky ishte i sëmurë. |