Albanian 1O Perëndi, paraqit mendimet e tua mbretit dhe drejtësinë tënde birit të mbretit, 2dhe ai do të gjykojë popullin tënd me drejtësi dhe të pikëlluarit e tu me saktësi. 3Malet do t'i sjellin paqen popullit dhe kodrat drejtësinë. 4Ai do t'u sigurojë drejtësi të pikëlluarve të popullit, do të shpëtojë bijtë e nevojtarëve dhe do të dërrmojë shtypësin. 5Ata do të të kenë frikë deri sa të ketë diell dhe hënë, për të gjitha brezat. 6Ai do të zbresë si shiu mbi barin e kositur, si një rrebesh që vadit tokën. 7Në ditët e tij i drejti do të lulëzojë dhe ka për të patur shumë paqe deri sa të mos ketë më hënë. 8Ai do të mbretërojë nga një det te tjetri dhe nga lumi deri në skajet e tokës. 9Banorët e shkretëtirës do të përkulen para tij, dhe armiqtë e tij do të lëpijnë pluhurin. 10Mbretërit e Tarshishit dhe të ishujve do t'i paguajnë haraçin, mbretërit e Shebas dhe ai i Sabas do t'i ofrojnë dhurata. 11Po, gjithë mbretërit do ta adhurojnë dhe gjithë kombet do t'i shërbejnë. 12Sepse ai do ta çlirojë nevojtarin që bërtet dhe të mjerin që nuk ka se kush ta ndihmojë. 13Atij do t'i vijë keq për të dobëtin dhe për nevojtarin dhe do të shpëtojë jetën e nevojtarëve. 14Ai do të çlirojë jetën e tyre nga shtypja dhe nga dhuna, dhe gjaku i tyre do të jetë i çmuar para syve të tij. 15Dhe ai do të jetojë; dhe do t'i jepet ari i Shebas, do të bëhen vazhdimisht lutje për të dhe do të bekohet tërë ditën. 16Do të ketë bollëk gruri mbi tokë, në majat e maleve; kallinjtë e tij do të valëviten si drurët e Libanit, dhe banorët e qyteteve do të lulëzojnë si bari i tokës. 17Emri i tij do të vazhdojë përjetë, emri i tij do të përhapet deri sa të ketë diell; dhe tërë kombet do të bekohen në të dhe do ta shpallin të lumtur. 18I bekuar qoftë Zoti Perëndia, Perëndia i Izraelit; vetëm ai bën mrekulli. 19Qoftë i bekuar përjetë emri i tij i lavdishëm, dhe tërë toka qoftë e mbushur me lavdinë e tij. Amen, amen. 20Këtu mbarojnë lutjet e Davidit, birit të Isait. |