Gjyqtarët 17
Albanian
1Në krahinën malore të Efraimit ishte një njeri që quhej Mikah. 2Ai i tha nënes së tij: "Një mijë e njëqind siklat prej argjendi që të kanë marrë dhe për të cilat ke thënë një mallkim, që e dëgjova me veshët e mi, ja, i kam unë; ato para i kisha marrë unë". Nëna e tij tha: "Im bir qoftë i bekuar nga Zoti!". 3Kështu ai ia ktheu nënes së tij të një mijë e njëqind siklat prej argjendi dhe e ëma tha: "Unë ia shenjtëroj plotësisht nga dora ime këtë argjend Zotit për birin tim, për ta bërë një shëmbëlltyrë të gdhendur dhe një figurë me derdhje prandaj po ta kthej tani". 4Pas kthimit të argjendit nënes së tij, e ëma mori dyqind sikla argjendi dhe ia dha shkrirësit, i cili bëri një shëmbëlltyrë të gdhendur dhe një figurë me derdhje metali; dhe këto u vendosën në shtëpinë e Mikahut. 5Kështu ky njeri, Mikahu, pati një shtëpi perëndish; bëri një efod dhe një shtëpi idhujsh, dhe shenjtëroi një nga bijtë e tij që i shërbente ai prift. 6Në atë kohë nuk kishte mbret në Izrael; secili bënte atë që i dukej e drejtë në sytë e tij.

7Ishte një i ri nga Betlemi i Judës, nga familja e Judës, i cili ishte Levit dhe banonte në atë vend si i huaj. 8Ky njeri u nis nga qyteti i Betlemit të Judës për t'u vendosur aty ku mund të gjente një vend; duke ecur arriti në krahinën malore të Efraimit, në shtëpinë e Mikahut. 9Mikahu e pyeti: "Nga po vjen?". Ai u përgjegj: "Jam një Levit nga Betlemi i Judës dhe jam duke kërkuar një vend ku mund të vendosem". 10Mikahu i tha: "Rri me mua, dhe bëhu ati dhe prifti im; do të të jap dhjetë sikla argjendi çdo vit, rroba dhe ushqim". Atëherë Leviti hyri. 11Kështu Leviti pranoi të rrinte me atë njeri, që e trajtoi të riun sikur të ishte një nga bijtë e tij. 12Mikahu e shenjtëroi Levitin; i riu i shërbeu si prift dhe u vendos në shtëpinë e Mikahut. 13Pastaj Mikahu i tha: "Tani e di që Zoti do të më bëjë të mira, sepse kam një Levit që më shërben si prift".



Albanian, ABS Version 1994

This text is copyright the Albanian Bible Society (ABS)

Bible Hub

Judges 16
Top of Page
Top of Page