Ligji i Përtërirë 34
Albanian
1Pastaj Moisiu u ngjit nga fusha e Moabit në Malin Nebo, në majën e Pisgahut, që ndodhet në bregun e kundërt të Jerikos. Dhe Zoti i tregoi tërë vendin e Galaadit deri në Dan, 2tërë Naftalin, vendin e Efraimit dhe të Manasit, tërë vendin e Judës deri në detin perëndimor, 3Negevin dhe fushën e luginës të Jerikos, qytet i palmave, deri në Tsoar. 4Zoti tha: "Ky është vendi që u premtova me betim Abrahamit, Isakut dhe Jakobit, duke u thënë: "Unë do t'ua jap pasardhësve tuaj". Ti e pe me sytë e tua, por nuk do të hysh në të!". 5Kështu Moisiu, shërbëtori i Zoit, vdiq aty, në vendin e Moabit, simbas fjalës së Zotit. 6Dhe Zoti e varrosi në luginën e vendit të Moabit, përballë Beth-Peorit; dhe askush nuk e ka mësuar deri më sot vendin e varrit të tij. 7Moisiu ishte njëqind e njëzet vjeç kur vdiq; shikimi i tij nuk ishte dobësuar dhe fuqia e tij nuk i qe mpakur. 8Bijtë e Izraelit e qanë në fushat e Moabit tridhjetë ditë; pastaj ditët e zisë dhe të vajtimit për Moisiun morën fund.

9Atëherë Jozueu, bir i Nunit, u mbush me frymën e diturisë, sepse Moisiu kishte vënë duart mbi të; kështu bijtë e Izraelit iu bindën atij dhe vepruan ashtu si e kishte urdhëruar Moisiun Zoti. 10Nuk doli më në Izrael një profet i ngjashëm me Moisiun, me të cilin Zoti fliste sy për sy, 11në të gjitha shenjat dhe mrekullitë që Zoti e dërgoi të bënte në vendin e Egjiptit para Faraonit, para tërë shërbëtorëve të tij dhe tërë vendit të tij, 12në të gjithë madhështinë e fuqisë dhe në të gjitha gjërat e mëdha dhe të tmerrshme që Moisiu kreu përpara syve të të gjithë Izraelit.



Albanian, ABS Version 1994

This text is copyright the Albanian Bible Society (ABS)

Bible Hub

Deuteronomy 33
Top of Page
Top of Page