1 i Mbretërve 5
Albanian
1Kur Hirami, mbret i Tiros, mësoi që Salomoni ishte vajosur mbret në vend të atit të tij, dërgoi shërbëtorët e tij, sepse Hirami kishte qenë gjithnjë mik i Davidit. 2Atëherë Salomoni dërgoi t'i thotë Hiramit: 3Ti e di që ati im David nuk ka mundur të ndërtojë një tempull në emër të Zotit, Perëndisë të tij, për shkak të luftrave të ndërmarra nga çdo anë kundër tij, deri sa Zoti i vuri armiqtë e tij nën shputën e këmbëve të tij. 4Por tani Zoti, Perëndia im, më ka dhënë paqe rreth e qark; dhe nuk kam më kundërshtarë, as ndonjë fatkeqësi. 5Prandaj tani kam ndërmend të ndërtoj një tempull në emër të Zotit, Perëndisë tim, sipas premtimit që i bëri Zoti atit tim David, kur i tha: "Yt bir, që unë do të vendos mbi fronin tënd, ka për të qënë ai që do të ndërtojë një tempull në emrin tim". 6Jep urdhër, pra, që të priten për mua kedrat e Libanit. Shërbëtorët e mi do të punojnë me shërbëtorët e tu, dhe si pagë unë do t'u jap shërbëtorëve të tu tërë ato që do të më kërkosh ti. Ti e di mirë që ndër ne nuk ka njeri që di t'i presë drurët si ata të Sidonit".

7Kur Hirami i dëgjoi fjalët e Salomonit, u gëzua së tepërmi dhe tha: "Qoftë i bekuar sot Zoti, që i ka dhënë Davidit një bir të urtë për të mbretëruar mbi këtë popull të madh". 8Pastaj Hirami dërgoi t'i thotë Salomonit: "E shqyrtova me kujdes mesazhin që më çove. Unë do të bëj të gjitha ato që dëshiron ti lidhur me lëndën e kedrit dhe të qiparisit. 9Shërbëtorët e mi do t'i sjellin nga Libani deri në det dhe do t'i transportojnë që andej me trap deri në vendin që ti do të më tregosh; pastaj do t'i shkarkojnë atje dhe ti do t'i çosh tutje. Si shpërblim, ti do të plotësosh dëshirën time, duke furnizuar me ushqime shtëpinë time". 10Kështu Hirami e furnizoi Salomonin me tërë lëndën e kedrit dhe të qiparisit që ai kishte nevojë. 11Salomoni nga ana e tij e furnizoi Hiramin me njëzet mijë kore gruri për të mbajtur shtëpinë e tij dhe njëzet kore vaj të pastër ulliri; Salomoni i jepte Hiramit çdo vit tërë këto gjëra. 12Zoti i dha dituri Salomonit, ashtu siç ia kishte premtuar; kështu mbretëroi paqja midis Hiramit dhe Salomonit, dhe të dy bënë aleancë.

13Mbreti Salomon rekrutoi njerëz për punë të detyruar në tërë Izraelin, dhe ata që u caktuan për punë të detyruar ishin tridhjetë mijë njerëz. 14I dërgonte me turne në Liban nga dhjetëmijë në muaj; kalonin një muaj në Liban dhe dy muaj në shtëpitë e tyre; Adonirami ishte drejtuesi i punimeve të detyruara. 15Salomoni kishte gjithashtu shtatëdhjetë mijë njerëz që transportonin ngarkesa dhe tetëdhjetë mijë gurgdhëndës në male, 16pa llogaritur tremijë e treqind përgjegjës të caktuar nga Salomoni për veprimtaritë e ndryshme dhe për të mbikqyrur personat e caktuar në punimet. 17Mbreti urdhëroi të nxirreshin gurë të mëdhenj, gurë me vlerë dhe gurë katërkëndësh për të bërë themelet e tempullit. 18Kështu punëtorët e Salomonit dhe punëtorët e Hiramit dhe Giblejtë nxorën gurët, dhe përgatitën lëndën e drurit dhe gurët për ndërtimin e tempullit.



Albanian, ABS Version 1994

This text is copyright the Albanian Bible Society (ABS)

Bible Hub

1 Kings 4
Top of Page
Top of Page